Shegë

Shega Shega është një pemë frutore e rëndësishme. Ajo paraqitet si shkurre që rritet deri në 5m lartësi. Ka degë të pajisura me gjemba. Gjethet janë të përkundrejta, me formë gjatore ose heshtore me përmasa 2-8 x 0,6–2 cm. Lulet janë të kuqe me një diametër rreth 3–4 cm. Frutat janë të përmasave të ndryshme që lëvizin nga 5–18 cm diametër, në shume raste edhe më të mëdha. Ka shumë fara të mbështjella me një tul të lëngshëm të athët në të ëmbël. Fakti që në Shqipëri gjenden mjaft shegë te egra, duke filluar nga kodrat pranë detit e deri në lartësitë mesatare mbi nivelin e detit tregon se kjo bimë gjen kushte të përshtatshme për rritjen dhe zhvillimin e saj në gjendje te egër natyrore në Shqipëri. Aktualisht ka mjaft masive të egra në shumë kodra të Shqipërisë, sidomos në pjesën e Ultësirës e deri në pjesën Qendrore.